Bujar Osmani, kandidat për kryetar i Komunës së Çairit, sot para mësimdhënësve paraqiti planin e tij në lidhje me zhvillimin e arsimit. Osmani tha se nuk ka investim më të rëndësishëm se ai tek fëmijët, por edhe tek ata që kujdesen për ta, mësuesit.
“Ata janë si prindërit e dytë, me ta fëmijët tanë kalojnë një pjesë shumë të madhe të kohës së tyre dhe duhet të jenë të motivuar, të shpërblyer dhe të respektuar”, tha Osmani në takim.
Ai theksoi se Çairi meriton të jetë komunë ku arsimi do të jetë prioriteti numër një.
“Asnjë bulevard, asnjë ndërtesë nuk është më e rëndësishme se mundësia që çdo fëmijë të ketë fëmijëri dinjitoze dhe arsim cilësor. Ky është zemra e vizionit tim për Çairin, një komunë moderne, gjithëpërfshirëse dhe e sigurt”.
Për të siguruar vëmendje dhe kushte më të mira për të mësuar, Osmani tha se do të kufizohet numri i nxënësve në klasat, sidomos në shkollat ku aktualisht ka deri në 35 fëmijë.
“Uniforma, çanta dhe ushqim falas për çdo fëmijë: Masë e orientuar drejt lehtësimit të barrës financiare për prindërit, veçanërisht për familjet me më shumë fëmijë. Qendër për mbështetje psiko-sociale: Psikologë, logopedë dhe këshillimore do të jenë në dispozicion për të mbështetur shëndetin mendor të fëmijëve – jo vetëm në situata krize, por edhe në mënyrë parandaluese. Përfshirje e plotë për fëmijët me aftësi të kufizuara: Do të bëhet një rishikim i qasjes në shkolla, do të punësohen profesionistë dhe do të punohet në edukimin dhe pranimin si pjesë e procesit edukativo-arsimor”.
“Programi “Shtëpia ime e dytë” – aktivitete pas mësimit: Kurse gjuhësore, klube artistike, punëtori teknologjike dhe mësim plotësues, të gjitha këto në shkolla që do të vazhdojnë të funksionojnë edhe pasdite si një ambient i sigurt për fëmijët. Zhvillimi i sportit shkollor: Rekonstruksioni i sallave dhe oborreve shkollore, ligat shkollore komunale dhe bashkëpunimi me klubet sportive do të sigurojnë aktivitet fizik dhe zhvillimin e frymës ekipore tek fëmijët”, tha Osmani.
Ai gjithashtu theksoi se do të ndalohet përdorimi i telefonave celularë në shkolla.
“Përmes programit “Mëso me mend, jo me ekran”, do të vendoset rregull që telefonat celularë të lihen gjatë orëve, për të përmirësuar vëmendjen dhe për të nxitur komunikimin e drejtpërdrejtë”, tha Osmani.
Osmani për reformat në arsim: Më pak nxënës në klasë, telefonat jashtë klasave appeared first on Telegrafi.