Kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, sot tha se ministri aktual i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti po i përdor burimet shtetërore për fushatën e tij, por edhe drejtpërdrejt rrezikon shëndetin e qytetarëve me mosveprimin e tij ndaj rastit me djegien e fabrikës në Trubarevë.
“Nuk isha atje si kandidat, por si njeri që gjithë jetën ia ka kushtuar shëndetit. Ajo që ndodhi dje nuk është vetëm katastrofë ekologjike, por një alarm i vërtetë shëndetësor. Në ajër kishte tym nga djegia e kabllove, baterive, plastikës – dhe e gjithë kjo shkon drejtpërdrejt në mushkëritë e fëmijëve, të moshuarve dhe pacientëve kronikë. Nuk dua ta shfrytëzoj këtë tragjedi për pikë politike. Por duhet të flasim qartë: ky është moment kur qytetarët duhet të mbrohen, ndërsa institucionet duhet të reagojnë. U bëra apel të gjithë qytetarëve – jo vetëm nga Trubareva, por edhe nga Çairi, Shkupi – të dalin sa më pak, t’i mbajnë dritaret të mbyllura dhe grupet e ndjeshme të mbajnë maska mbrojtëse”, tha Osmani.
Ai theksoi se kjo nuk është çështje partiake dhe nëse institucionet nuk veprojnë, atëherë qytetarët kanë detyrë të vetë-organizohen dhe të mbrohen.
“Dy herë mendova nëse sot duhet të flas politikisht. Por nuk mund të mos e them: para së gjithash, mendoj se ai duhej të jepte dorëheqje që ditën kur u kandidua, që gara të ishte e barabartë. Izet Mexhiti, në vend që të largohej nga posti kur hyri në garën zgjedhore, mbeti ministër me të gjithë kapacitetin dhe buxhetin në dispozicion – gjë që është thellësisht imorale dhe e padrejtë. Po kandidon me rrogën e ministrit dhe bën fushatë në Çair me burimet e ministrisë”, paralajmëroi Osmani.
Por Osmani shtoi se tani ekziston edhe një arsye më serioze për dorëheqje – paaftësia për t’u përballur me krizën ekologjike dhe shëndetësore që ndodhi dje në Trubarevë, kur i gjithë Shkupi u mbulua me tym toksik nga djegia e plastikës dhe kabllove.
“Ai tregoi se nuk po e kryen detyrën siç duhet, po rrezikon shëndetin e njerëzve dhe, për më tepër, ka keqpërdorur burimet shtetërore për fushatën zgjedhore”, deklaroi Osmani.