Që nga fillimi i vitit 2026, Observatori Sizmologjik pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematike në Shkup nuk do të mund të llogarisë më në 13 stacionet sizmologjike të përkohshme, të cilat u siguruan në vitin 2023 në kuadër të projektit të organizatës ORFEUS (Observatories and Research Facilities for European Seismology). Përmes tyre monitorohet aktiviteti sizmik në territorin e vendit, në zonat kufitare, por edhe në gjithë planetin.
Këto 13 stacione për momentin përbëjnë rrjetin telemetrik të Observatorit Sizmologjik në Shkup. Gjithashtu, monitorim sizmik ka në liqenin Kozjak – në digat “Kozjak” dhe “Shën Petka”, si dhe në një lokacion në fshatin Belicë dhe në digën “Knezhevë”.
Në muajin mars, organizata ORFEUS do të largohet nga Maqedonia për të vazhduar projektin në vende të tjera, gjë që e vë Observatorin përballë rrezikut të mbylljes së të gjitha 13 stacioneve sizmologjike.
“Kjo do të thotë se nga viti i ardhshëm mbetemi pa asnjë stacion sizmologjik dhe pa pajisjet përkatëse për ndjekjen e aktivitetit sizmik. Për një territor si i yni, që është sizmikisht aktiv dhe ku shpesh ndodhin tërmete mesatarisht të forta deri të forta, kjo përbën një rrezik të shtuar për popullatën dhe për infrastrukturën”, – deklaroi për gazetën Veçer drejtuesja e Observatorit Sizmologjik, prof. dr. Katerina Drogreska.
Ajo shton se teknologjia po përparon, bota ecën para, ata përpiqen ta ndjekin këtë ritëm, por aktualisht ndodhen në një situatë ku nuk mund ta bëjnë këtë.
“Tani, në mënyrë të padiskutueshme, na duhet ndihmë. Mungesa e monitorimit të aktivitetit sizmik mund të sjellë pasoja serioze për ndërtimet dhe sigurinë e qytetarëve në vend”, – është e prerë Drogreska.
Sipas saj, Observatorit i nevojiten softuerë të rinj të licencuar, pajisje kompjuterike moderne dhe sizmometra – të paktën dhjetë stacione sizmologjike për të ndjekur aktivitetin në kohë reale. Për instalimin e një stacioni të tillë të kompletuar duhen rreth 30 mijë euro.
“Kemi përkrahje nga fakulteti, por fakulteti nuk ka mundësi t’i sigurojë këto stacione. Ne jemi interesantë për publikun vetëm kur ndodh ndonjë tërmet, dhe njerëzit mendojnë se puna jonë konsiston vetëm në pritjen e tërmeteve. Por ajo është pjesa e fundit e punës sonë. Puna jonë si sizmologë fillon pas tërmetit – për të analizuar pse, ku dhe si ndodhi ai. Qëllimi është të përmbyllet i gjithë cikli sizmik. Të dhënat arkivohen dhe dërgohen te institucionet përkatëse për të hartuar harta të rrezikut sizmik, që më pas përdoren në urbanizëm, ndërtimtari, etj. – të gjitha në shërbim të sigurisë së qytetarëve”, – shpjegon Drogreska.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, deklaroi se është takuar disa herë me Drogreskën për të gjetur mënyra ndihme dhe për të garantuar siguri për qytetarët.
“Kur shqyrtova aplikimet për projektet shkencore-kërkimore, pashë që edhe Observatori Sizmologjik ka konkurruar në këtë thirrje. Nga informacionet që marr nga Komisioni, ka shumë gjasa që projekti të fitojë, dhe kështu do të sigurohen mjete për blerjen e disa instrumenteve. Nëse ndodh kjo – nuk mund të parashikoj me siguri – por shpresoj që të ndodhë, së paku do të ndihmohet paksa, dhe më tej do të vazhdojmë të kërkojmë zgjidhje për problemin”, – u shpreh Janevska.
Observatori Sizmologjik është themeluar në vitin 1957 dhe ndodhet në shpatet e Vodnos./Alsat/
Observatori sizmologjik në RMV në rrezik të mbetet pa 13 stacione matëse të tërmeteve appeared first on Telegrafi.