Partia në pushtet OBRM-PDUKM ka akuzuar partitë opozitare si LSDM dhe BDI për zjarrvënie të deponive.

“Në vend të politikave, ata nxisin tym dhe helm duke i vënë flakën deponive të Shkupit. Zjarret në deponi, sikurse kjo në Trubarevë, po shkaktohen nga LSDM-BDI. Pasi nuk ia dolën me zjarrvëniet gjatë kësaj vere nëpër fshatra dhe qytete të Maqedonisë, tani vendosën për një hap të ri, të fundit dhe të dëshpëruar: ndezjen e deponive në Shkup me qëllim që të shkaktojnë frikë, pakënaqësi dhe kaos te qytetarët. Me këtë jo vetëm që kryejnë vepër të rëndë penale, por me vetëdije po e shkatërrojnë shëndetin e shkupjanëve, që është paftyrësi politike e llojit më ekstrem”, thonë nga OBRM-PDUKM.

Sipas partisë, për vite me radhë LSDM dhe BDI kanë menaxhuar me deponitë “Drislla” dhe “Vardarishtë”, ata i kanë emëruar drejtorët, kanë udhëhequr politika, kanë premtuar fabrikë për selektim të mbeturinave, zona të gjelbra dhe ajër të pastër.

“Gjithçka mbeti vetëm në letër. E vetmja gjë që lanë pas është mbeturinë, deponi ilegale dhe helmim të njerëzve. Përkundrazi, kryetarët e komunave të Shkupit nga OBRM-PDUKM tashmë katër vjet realizojnë projekte konkrete për pastrimin dhe rregullimin e hapësirave publike, për vendosjen e sistemit për selektim të mbeturinave dhe për forcimin e higjienës publike. Qeveria gjatë vitit të kaluar ka filluar procesin e një rishikimi tërësor të të gjithë politikës mjedisore dhe ka përgatitur projekte të reja për modernizimin e ‘Drisllës’, për mbylljen e deponive ilegale dhe për vendosjen e standardeve evropiane për menaxhimin e mbeturinave. Kjo është dallimi i vërtetë mes trashëgimisë kriminale të LSDM-BDI dhe qasjes së përgjegjshme të OBRM-PDUKM-së”, thuhet në njoftimin e partisë në pushtet.

OBRM-PDUKM ka bërë thirrje që MPB dhe Prokuroria të veprojnë ndaj dy partive që sipas tyre kanë shkaktuar zjarret.

Share.
Exit mobile version