Në realitetin e përditshëm, qytetarët po përballen me një barrë ekonomike gjithnjë e më të rëndë. Çmimet e produkteve ushqimore janë rritur ndjeshëm, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për familjet shqiptare të mbulojnë nevojat bazë të përditshme.

Nga buka dhe qumështi, te frutat dhe perimet, çdo artikull në shportën e përditshme ka shënuar rritje.

Kjo situatë po thellon pasigurinë ekonomike dhe po prek veçanërisht shtresat e mesme dhe të ulëta të shoqërisë.

Të martën edhe Agjencia e Statistikave njoftoi se në gusht çmimet ishin për 4.5 për qind më të larta krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu ka thënë për Telegrafin se inflacioni po e bën çdo ditë e më shumë të vështirë jetën në Kosovë.

“Është vërtetë që agjenda politike në Kosovë është duke e ngulfatur sektorin privat dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Vetë fakti që kemi masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian dhe nuk ka projekte të cilat mund të jenë infuzion për mbështetje për zhvillim ekonomik, për mbështetje të sektorit privat është një situatë e vërtetë shqetësuese”, theksoi ai.

Gërxhaliu po ashtu theksoi se edhe mungesa e institucioneve e ka bërë që të rëndohet edhe më shumë situate ekonomike.

“Dhe lind pyetja, po të mos ishte edhe ndihma nga diaspora? Atëherë, çfarë kishte me ndodhë me Kosovën, paramendoni të kemi vetëm pesëdhjetë për qind rënie të remitancave, çfarë situate sociale kish me qenë në Kosovë? vërtet e trishtë. Mirëpo, ajo çka është duke rënduar situatën aktuale në Kosovë është një inflacion, i cili vërtet po e bën dhe po e vështirëson edhe të jetuarit në Kosovë”, nënvizoi ai.

Duke folur për çmimet e larta, Gërxhaliu tha se në Kosovë ka rënë në mënyrë drastike fuqia blerëse.

“Fakti që në mënyrë zyrtare kemi një në inflacion 4 apo 5 përqind ndoshta është më tepër në realitet, atë çfarë e keni blerë para sa vitesh, me njëqind euro sot nuk mjaftojnë 200 euro”, theksoi ai.

Derisa çmimet vazhdojnë të ngritën çdo ditë, Gërxhaliu tha se pagat kanë mbetur të ngrira.

“Dhe në këtë drejtim kemi paga të ngrirura qoftë në sektorin privat, qoftë në administratë dhe kur dihet fakti tjerë, që Kosova është shndërruar në një vend të varur nga importi, kemi rritje enorme të importit, situata aktuale është mjaft shqetësuese”, ka thënë mes tjerash ai.

Ai ka pohuar se e më e keqja është se kjo është si një metastazë që godet më së shumti shtresën e mesme dhe të varfër.

“Duke pasur parasysh faktin që në Kosovë kemi shumë tepër shtresë të nivelit të ulët sesa të lartë, atëherë situata vërtet është mjaft shqetësuese dhe vetë fakti që tani kemi një situatë pa institucione, kemi ngritje të çmimit të energjisë elektrike, deklaroi ai.

Sipas Gërxhaliut, një shtet i varur nga importi, ka pak mundësi për të gjetur zgjidhje për të ulur inflacionin.

“Ky është realiteti që vërtet në Kosovë fuqia blerëse është çdo ditë e me ulët dhe situata është shumë pak shpresëdhënëse, dhe kur e kemi parasysh që politika është shumë tepër e orientuar për pushtet, sesa për qytetarë dhe për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”, u shpreh ai.

Raporti i Agjencisë së Statistikave të Kosovës

Agjencia e Statistikës së Kosovës (ASK) ka prezantuar të martën për përdoruesit Vjetarin Statistikor të Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Në raport vërehet se produktet ushqimore bazike kanë përjetuar ngritje nga viti në vit.

ASK

Ndërsa janë bërë publike edhe niveli i pagës mesatare bruto dhe neto që nga viti 2012 deri në vitin 2024.

Share.
Exit mobile version