Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtazani, sot në Bruksel mori pjesë në takimin e Këshillit për çështje të përgjithshme të Bashkimit Evropian, i cili u zhvillua me ftesë të Presidencës daneze të Këshillit të BE-së, takim i cili i përkushtohej sundimit të ligjit, thuhet në njoftimin e MÇE-së.
Nga atje thonë se kjo ishte pjesëmarrja e dytë e ministrave nga vendet kandidate për të qenë në të njëjtën tryezë në takimin formal të KÇP-së, së bashku me vendet anëtare, në kuadër të mekanizmit evropian për sundimin e ligjit. Takimi u përqëndrua në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2025 dhe gjendjen në katër fushat si: sistemin gjyqësorë, mekanizmin kornizë kundër korrupsionit, lirinë dhe pluralizmin e mediave, dhe çështjet institucionale të lidhura me mekanizmat kontrolluese.
“Përfshirja e Maqedonisë së Veriut në Mekanizmin për sundimin e ligjit është konfirmim i fuqishëm i perspektivës evropiane për vendin dhe vlerësim për progresin e tij. U shpreh se pjesëmarrja në Këshillin formal për çështje të përgjithshme, për vitin e dytë radhazi, paraqet porosi të qartë se vendet kandidate janë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për avancimin e sundimit të ligjit në të gjithë Evropën”, tha Murtezani.
Murtazani gjithashtu theksoi se Raporti për sundimin e ligjit për vitin 2025 për Maqedoninë e Veriut konfirmon progresin real, por njëkohësisht mbeten sfidat të cilat nuk duhet të neglizhohen. Në vazhdim, ai potencoi se sundimi i ligjit nuk është vetëm kusht për anëtarësim, por bazë mbi të cilën ndërtohet besimi në mes të institucioneve dhe qytetarëve. Sipas tij, reformat në këtë fushë janë në interes të përbashkët, pasi institucionet më të fuqishme dhe konsekuenca më e madhe në drejtësi kontribuojnë drejt stabilitet dhe zhvillimit jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në mbarë rajonin.
Murtazani rikujtoi në adresimin e fundit të Presidentes së Komisionit Evropian në Strasburg, se Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor dhe se zgjerimi është interes strategjik për gjithë Evropën. Ai u shpreh se Maqedonia e Veriut merr pjesë në Këshill jo si vëzhgues, por si partner i cili kontribuon në mënyrë aktive në përpjekjet e përbashkëta për avancimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit./Telegrafi/