Ministria e Kulturës dhe Turizmit sot do t’i publikojë Konkurset për mbështetje të projekteve nga interesi kombëtar në kulturë, në të cilat aplikantët e interesuar deri më 31 tetor do të mund të aplikojnë në mënyrë elektronike përmes portalit kombëtar e-shërbime.
Ministri Zoran Lutkov sot në konferencë për shtyp tha se konkurset janë reformiste dhe me ndryshime në mënyrën e financimit, gjë që, siç tha ai, bën një “hap kualitativ e jo sasior përpara në kulturë”.
Risi është se është përcaktuar saktësisht se cili lloj projekti mund të mbështetet me shumën maksimale të mjeteve, ndërsa ndryshimet janë bërë pas analizave të financimit të mëparshëm, në konsultim me palët e interesuara që kanë aplikuar në konkurse deri më tani dhe sipas indikacioneve të Entit Shtetëror të Auditimit.
“Vlerësimi i projekteve do të kryhet sipas plotësimit të kushteve të përgjithshme që janë të njëjta për të gjithë aplikantët e projektit, si dhe plotësimit të kushteve të veçanta që përcaktohen qartë për çdo zonë individualisht. Sipas llojeve të projekteve dhe në funksion të shpërndarjes transparente të mjeteve, në aplikimet në konkurset vjetore të këtij viti përcaktohet saktësisht se cili lloj projekti mund të mbështetet me shumën maksimale të mjeteve. Nuk do të ketë më mospërputhje të mëdha në mbështetjen e projekteve të llojit të njëjtë, por sipas analizave të projekteve të realizuara më parë do të subvencionohen nevojat dhe shpenzimet reale të projekteve”, tha Lutkov.
Sa i përket programimit, risia e këtij viti është se në konkurset vjetore nuk do të financohen projekte ndërdisiplinore dhe industri kreative dhe për to, tha ai, Ministria do të ndërmarrë masa dhe aktivitete të tjera me rekomandim të Entit Shtetëror të Auditimit.
Ministri theksoi se buxheti për fushat dhe aktivitetet kulturore për vitin 2025 është rritur për 70 milionë denarë dhe se në 100 ditët e para kanë bërë, siç tha ai, përpjekje të jashtëzakonshme me ribalancimin e buxhetit në shërbim të obligimeve rrjedhëse, duke qenë se në qershor ata gjetën një buxhet në gjendje të keqe.
Ministria e Kulturës do të publikojë konkurset për mbështetje të projekteve, afati i aplikimit deri më 31 tetor appeared first on Telegrafi.