Rruga jonë drejt Bashkimit Evropian është më shumë se thjesht harmonizim i ligjeve, është ndërtimi i institucioneve që funksionojnë sipas standardeve evropiane, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në hapjen e ngjarjes së sotme “Stërvitje gjenerike për nëpunës administrativë”, që po mbahet në Shkup.

“Investimi tek nëpunësit administrativë është investim në të ardhmen e sektorit publik. Sot jemi mbledhur për të konfirmuar se reformat nuk janë vetëm fjalë në një program, por realitet që shihet dhe ndihet. Nuk ka shtet modern pa administratë moderne, as ekonomi të përparuar pa sektor publik funksional.

Nuk ka besim në institucione pa nëpunës profesionalë, përgjegjës dhe të motivuar. Ky nuk është vetëm një slogan, por vizioni dhe detyrimi ynë para qytetarëve”, tha Mickoski.

Ai nënvizoi se administrata publike është themeli i shtetit.

“Ajo jeni ju – njerëzit që çdo ditë mbani mbi supe institucionet. Puna juaj është fytyra e shtetit, ndërsa qëndrimi juaj është përshtypja që qytetarët krijojnë për institucionet”, tha Kryeministri.

Sipas tij, ky është cikli i parë i trajnimeve të përgjithshme, me pjesëmarrjen e 600 nëpunësve nga niveli lokal dhe qendror, një sinjal i qartë se kjo Qeveri nuk i frikësohet ndryshimeve, por i sjell ato.

Mickoski kritikoi qeverisjen e mëparshme, duke thënë se administrata publike ishte kthyer në “gjah politik”:

“Në vend të zhvillimit – partizim. Në vend të motivimit – frikë dhe hakmarrje. Në vend të trajnimit – klientelizëm. Administrata ishte lënë e demotivuar, me besim të thyer dhe me njerëz që ndiheshin të lënë pas dore. Kemi pritur me vite për sisteme normale trajnimi, por rezultatet ishin stagnim dhe gjenerata të humbura nëpunësish”, shtoi ai.

Share.
Exit mobile version