Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha sot se nuk ndan mendimin e njëjtë me zv. kryeministrin, Izet Mexhiti se lufta e UÇK-së në Maqedoni ishte e drejtë dhe e ndershme, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Mexhiti të enjten (7 gusht) tha se “qëndrimi im ishte dhe mbetet parimor dhe i palëkundur: Lufta e UÇK-së në Kosovë, ajo në Preshevë dhe në Maqedoni ishte e drejtë, e arsyeshme dhe e pastër. Ishte një luftë për shtetësi, për barazi dhe për mbrojtjen e identitetit shqiptar në vendet e ish-Jugosllavisë”.
Mexhiti, i cili është edhe një nga udhëheqësit e koalicionit të partive shqiptare VLEN, vlerësoi gjithashtu se Kosova sot është një shtet sovran dhe funksional në çdo cep të territorit të saj dhe se strukturat paralele në veri të Kosovës janë eliminuar, ndërsa institucionet e Republikës së Kosovës janë konsoliduar.
Kryeministri Mickoski sot para gazetarëve tha se “lufta nuk mund të jetë e arsyeshme dhe e drejtë, ndërsa anëtarët e MPB-së dhe dhe Ministrisë së Mbrojtjes u vranë në mënyrë tinëzare në një pritë. Të paktën jo në Maqedoni. Unë nuk komentoj për fqinjësinë”.
Mickoski u bëri thirrje “të gjithë politikanëve të arsyeshëm të mos luajnë kartën e (partisë opozitare shqiptare) BDI-së dhe atyre që duan të na kthejnë 25 vjet prapa”.
Kryeministri vlerësoi se në këtë vend këto tema janë pjesë e së kaluarës dhe se janë mbyllur me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit të vitit 2001, dhe me ndryshimet e fundit në Ligjin për përfaqësim të barabartë, i cili është në Komisionin e Venecias./Telegrafi/
Mickoski dhe Mexhiti me mendime të ndryshme për luftën e UÇK-së në Maqedoni appeared first on Telegrafi.