Studenti Mevlan Ademi, i cili ishte ndër organizatorët e protestave më 6 prill, i është përgjigjur presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, e cila mbrëmë në një emision duke folur për provimin e Jurisprudencës, tha se në gjyqësi dhe drejtësi është thelbësore saktësia e gjuhës dhe qartësia e shprehjes, duke aluduar se është më mirë që e gjithë gjyqësia të jetë vetëm në gjuhën maqedonase.

Studenti Ademi i ka reaguar Siljanovskës, duke thënë se e drejta nuk mund të kufizohet në një gjuhë të vetme dhe se praktika ndërkombëtar këtë e dëshmon qartë.

“Në Finlandë, provimi i jurisprudencës zhvillohet në dy gjuhë: finlandisht dhe suedisht. Në Zvicër, kandidati zgjedh vetë gjuhën në të cilën testohet. Në Belgjikë, sistemi funksionon me procedura të ndara sipas gjuhës: flamane ose frënge”.

“Nëse argumentohet se përkthimi në maqedonisht mund të shtrembërojë kuptimin, atëherë ky rrezik është i njëjtë për çdo gjuhë. Po qytetari shqiptar që nuk e zotëron maqedonishten, a nuk vendoset në disavantazh? Nëse shqetësimi është cilësia e përkthimit, zgjidhja nuk është kufizimi, por funksionimi i plotë i sistemit edhe në gjuhën shqipe, nga provimi i jurisprudencës deri te procedurat gjyqësore”, ka shkruar Ademi.

Ai gjithashtu thekson se Maqedonia e Veriut nuk është përjashtim nga këto praktike dhe se shtetet shumëgjuhëshe funksionojnë mbi parimin e barazisë reale, jo të kufizimit./Telegrafi/

Share.
Exit mobile version