Drejtori gjeneral i ShA MEPSO, Burim Latifi, njoftoi opinionin përmes një shkrimi në profilin e tij social, që SHA MEPSO ka dorëzuar aplikimin për të fituar statusin PECI – Projekt me interes për komunitetin energjetik) për projektin strategjik “Korridori interkonektues Lindje–Perëndim 400 kV, Seksioni perëndimor”.

Ky projekt parashikon ndërtimin e një linje largpërçuesi 400 kV nga Tetova deri në Prizren, duke krijuar një lidhje të re direkte elektroenergjetike mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Korridori Shkup–Tetovë–Ohër, me dalje ndërkufitare drejt Prizrenit, do të forcojë ndjeshëm rrjetin e transmetimit në pjesën perëndimore të vendit, me një gjatësi totale prej rreth 255 km.

Një element kyç i projektit është ndërtimi i një trafostacioni të ri 400/110 kV në Tetovë, si dhe mundësia për një trafostacion tjetër në Osllomej. Kjo do të mundësojë integrim më të mirë të kapaciteteve ekzistuese dhe të planifikuara të prodhimit, përfshirë burimet e ripërtëritshme të energjisë, si dhe fleksibilitet më të lartë operacional të sistemit.

Projekti ka dimensione të qarta rajonale dhe është komplementar me projektin tashmë të miratuar PECI për korridorin Kosovë–Shqipëri (Prizren–Fierzë) në nivel 400 kV.

Dhënia e statusit PECI do të thotë njohje zyrtare e rëndësisë strategjike, koordinim më të mirë institucional, qasje më të lehtë në instrumente financiare ndërkombëtare dhe mbështetje teknike nga institucionet financiare globale.

Realizimi i këtij projekti pritet të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të sistemit elektroenergjetik, integrim më të mirë të tregut, ulje të kufizimeve të rrjetit dhe krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm të sektorit energjetik në vend dhe rajon.

Share.
Exit mobile version