
Derbi i javës së gjashtë në futbollin e Maqedoninë e Veriut, Struga – Shkëndija, arsyetoi epitetin klasikja shqiptare, që solli edhe këtë herë emocion dhe rivalitet të lartë. Kampioni aktual Shkëndija u përball me ish-kampionin Struga, duke dhuruar një luftim të fortë në fushë, e cila përfundoi me barazim 1-1, njofton Telegrafi.
Pjesa e parë ishte e vakët dhe pa shumë raste, por gjithçka ndryshoi në të dytën. Vetëm pas tetë minutash lojë, senegalezi Tamba, lojtari më në formë i kuqezinjve, shpërtheu me një aksion personal dhe shënoi për epërsinë e Shkëndijës (0-1). Ky gol zgjoi Strugën, që mori iniciativën dhe krijoi raste të pastra shënimi. Ish-futbollisti i Shkëndijës, Radeski në minutën e 79-të barazoi shifrat nga pika e bardhë, ndërsa në fund vendasit menduan se kishin përmbysur gjithçka me golin e Maleskit, por VAR-i anuloi golin për pozicion jashtë loje.
Në fund, dy skuadrat ndanë nga një pikë, por Shkëndija konfirmoi edhe një herë statusin e saj si kampione në fuqi, duke dominuar në momente kyçe dhe duke treguar forcë përballë rivalit të madh. Nga ana tjetër edhe Struga është treguar se këtë sezon ka ambicie të larta. Ky ishte barazimi i parë për Strugën, ndërsa i dyti për Shkëndijën, që mbetet dy ekipet e vetme pa disfatë. Edhe përkundër barazimit, Struga ka tani është lider i renditjes me 16 pikë, një më shumë se Sileksi, që dje u mund nga Bashkimi 2-1.
Ndërkohë, Shkupi vazhdon rënien e lirë nga java në javë. Këtë herë u mposht në Kavadar nga Tikveshi me rezultat minimal 1-0, me golin vendimtar të Sadikut. Shkupi është ekipi i vetëm që deri më tani nuk ka asnj ëpikë të fituar pas gjashtë javë të luajtura. /Telegrafi/