MPB sot ka dhënë detaje të reja lidhur me ndalimin e një 18-vjeçari i cili dyshohet se ka dërguar e-maile të rrejshme për kërcenim për bombë në disa shkolla të Tetovës, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Më 27.02.2026 në orën 09:10 në fshatin Pallaticë, rajoni i Tetovës, oficerë policie nga Departamenti për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Krimit të Rëndë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, në koordinim me oficerë policie nga SPB Tetovë, e privuan nga liria M.R. (18) nga fshati Pallaticë.

Ai dyshohet se ka dërguar vazhdimisht mesazhe elektronike në disa institucione arsimore në Tetovë se në to ishin vendosur pajisje shpërthyese. Pas marrjes së masave dhe kontrolleve, është vërtetuar se të gjitha raportimet për vendosjen e bombave ishin të rreme.

Sot, me urdhër gjykate, është kryer një kontroll në shtëpinë e tij në fshat, gjatë të cilit janë sekuestruar disa pajisje elektronike.

Personi është dërguar në stacionin policor dhe pas sqarimit dhe dokumentimit të plotë të rasteve, në koordinim me prokurorin publik, kundër tij do të ngrihen akuza përkatëse”, thuhet në njoftimin e MPB-së./Telegrafi/

Share.
Exit mobile version