Kandidatët e VLEN-it dhe AKI-së, gjatë fundjavës kanë vazhduar me aktivitetet në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale.

Të shtunën kandidatët e të dy koalicioneve për Komunën e Tetovës, lëshuan akuza ndaj njëri tjetrit.

Bajram Rexhepi nga AKI tha se po bëhet shantazh ndaj votuesve tetovarë dhe u kërkon banorëve të mos shesin votën.

“Tetovarët nuk do ta durojnë më këtë poshtërim. Është koha të kthejmë krenarinë tonë. Më 19 Tetor bëjmë ndryshimin që e meritojmë”, deklaroi Bajram Rexhepi para qytetarëve të Shipkovicës.

Duke folur për situatën aktuale në komunë, Rexhepi theksoi se qytetarët janë të lodhur nga neglizhenca institucionale dhe nga premtimet boshe. Ai shpalosi zotimet për një qeverisje lokale transparente, me prioritet shërbimet bazë, zhvillimin ekonomik, arsim cilësor dhe infrastrukturë moderne për të gjitha lagjet dhe fshatrat.

Nga ana tjetër, Bilall Kasami nga VLEN ka deklaruar se e gjeti “Tetovën në një katrahurë të vërtetë dhe se me të në krye të Tetovës, është vendosur rend”.

“Tetovën e gjeta në gjendje katrahure. Nuk kishin punuar as për shqiptarët, as për maqedonasit, as për të rinjtë, as për të moshuarit, kishin punuar vetëm për një rreth të vogël interesash. Qyteti ishte i zhytur në borxhe, me rrugë të shkatërruara dhe shërbime të mjera”, tha Kasami.

Ai theksoi se sot Tetova është qytet që kujdeset për infrastrukturën, mjedisin, kulturën, artin dhe sportin, por edhe për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve.

Ndërsa, gjatë ditës së sotme (e diel), kandidatët për Komunën e Dibrës, Ilirjan Fetahu dhe Fisnik Mela, kanë intensifikuar aktivitetet.
Ilirjan Fetahu ka shpalosur katër prioritetet për zhvillimin e Dibrës.

“Hartimi planit gjeneral në të cilën do të përcaktohen zonat e destinuara për zhvillimin e ekonomisë, lagje dhe rrugë të reja. Do të krijojmë rini vendimmarrëse përmes formimit të Këshillit komunal rinor dhe Qendrës rinore. Një Dibër më të pastër e cila menaxhon mirë me mbeturinat dhe kthimin e hapësirave publike në lulishte. Bashkëpunim me OJQ, me shoqatat që veprojnë në Dibër me qëllim pasurimin e aktiviteteve kulturore. Regjim të ri të komunikacionit dhe hapësirave të reja për parkim”, tha Fetahu.

Kundërkandidati i tij, Mela ka takuar të rinjtë dhe ka premtuar se do të krijojë hapësira për fuqizimin e tyre.

“Rinia e Dibrës ka energji, ide dhe kurajo për ndryshim. Si kryetar i ardhshëm, angazhohem t’i mbështes, të krijoj hapësira për pjesëmarrjen e tyre dhe të zbatoj politika që fuqizojnë të rinjtë”, tha Mela.

Edhe kandidatët për kryetar të Çairit kanë vazhduar aktivitetet në ditën e shtatë të fushatës.

Izet Mexhiti, kandidati i VLEN-it ka prezantuar masterplanin e Çairit të krijuar nga arkitekti Bajram Vardar. Mexhiti tha se ky plan do të integrohet me planin gjeneral të ri të Qytetit të Shkupit i cili është në përpilim e sipër.

Nga ana tjetër, kundërkandidati i tij nga AKI-ja, Bujar Osmani ka promovuar projektin “Shkolla – shtëpia jonë e dytë”, me të cilin synon që si kryetar i ardhshëm i Çairit, të ngrit zhvillimin e kapacitetit të fëmijëve dhe të cilësisë së arsimit në përgjithësi./Telegrafi/

Share.
Exit mobile version