Gjykata vlerëson se raportet e ekspertëve të mbrojtjes dhe Prokurorisë në lidhje me gjendjen psikike të të akuzuarit Rade Trajkovski Shtekli nuk janë kontradiktore dhe i hodhi poshtë pretendimet e mbrojtjes se ai nuk është i aftë të ndjekë gjykimin në seancën kryesore në rastin e tregtisë me drogë.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, gjykatësi Ilija Tërpkov, para fillimit të seancës informoi së sotme se po refuzohet kundërshtimi i mbrojtjes se i pandehuri nuk është në gjendje të ndjekë gjykimin në seancën kryesore. Sipas Gjykatës i akuzuari Rade Trajkovski Shtekli është kontrolluar nga psikiatrja Olivera Subotin Popovska e cila dha një mendim të qartë se i akuzuari është i aftë të ndjekë gjyqin dhe të deklarohet fajtor, ndërsa mendimi i ekspertit të mbrojtjes ishte nga një mjek i cili ka qenë mjeku personal i Trajkovskit për shumë vite dhe ekziston bazë për paragjykim.
“Vetëm në raste të jashtëzakonshme urdhërohet një super ekspertizë, por në këtë rast Gjykata u bind nga personi ekspert Olivera në lidhje me aftësinë e të akuzuarit Rade Trajkovski për të ndjekur gjykimin”, deklaroi gjykatësi Tërpkov.
Këshilli, siç u potencua i vlerësoi parashtrimet e të dy personave ekspertë dhe ekspertizës që sipas Gjykatës, nuk janë kontradiktore.
Më herët, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup u kryen ekspertiza të cilat referohen me gjendjen psikike të të akuzuarit Rade Trajkovski Shtekli.
Në seancën e kaluar për rastin “Shtekli”, para gjykatës dëshmoi ekspertja Olivera Popovska, e punësuar në Spitalin psikiatrik Shkup. Ajo u morr në pyetje nga ana e avokatit Sashko Dukovski, avokat i të akuzuarit Rade Shtekli, përmes pyetjeve të tërthorta.
Aktakuza, e ngritur nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar, përfshin gjithsej 10 persona, pas një hetimi pothuajse njëvjeçar në të cilin u aplikuan masa të posaçme hetimore. Fillimisht, u përfshinë 16 persona, shtatë prej të cilëve tashmë kanë lidhur marrëveshje pranimi të fajësisë dhe kanë marrë dënime me burgim nga 3 deri në 3,5 vjet.
Katër të akuzuar – Danço Masev, Dimitar Trajkov, Vladimir Veselinovski dhe Branislav Zajkov – gjithashtu paraqitën deklaratë për fajësi, pas çka Gjykata mori vendim për ndarjen e procedurës penale.
Sipas Prokurorisë, grupi ishte i organizuar mirë, me role të përcaktuara qartë – nga sigurimi deri te shitja e kokainës dhe marihuanës. Droga ruhej në apartamente me qira dhe shitej me çmime që varionin nga 4,500 deri në 6,000 denarë për gram kokainë dhe 200 deri në 300 denarë për gram marihuanë. Komunikimi zhvillohej përmes aplikacionit Snapchat, ndërsa provat kryesore u siguruan përmes sistemit të analizës së telefonave celularë “Cellebrite”, donacion nga SHBA.