Gjykata Penale e Shkupit i ka shqiptuar katër vite burg Muhsin Arifit, ish-drejtorin e Klinikës së Geriatrisës në Shkup, i cili akuzohet për marrje ryshfeti. Gjykata Penale shpalli vendimin edhe për bashkëpunëtorin e tij në veprën penale, përkatësisht për të akuzuarin e dytë Blerim Ameti, i punësuar në Klinikën e Geriatrise në atë kohë, i cili u dënua me një vit e 10 muaj burg.

“I akuzuari Muhsin Arifi dënohet me burg në kohëzgjatje prej 4 viteve, në të cilën dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa i akuzuari Blerim Ameti dënohet me burg prej një viti e 10 muaj, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Si rrethana rënduese gjykata vlerësoi llojin, karakterin dhe peshën e veprave penale si dhe mënyrën e kryerjes së tyre”, deklaroi Lenka Davitkova, gjyqtare.

Arifi u akuzua vitin e kaluar për marrje ryshfeti, me qëllim që të lejonte shtruarjen në spital të një personi në gjendje të rëndë shëndetësore, gjë që në fakt ishte detyrë e tij zyrtare si drejtor i klinikës.

Blerim Ameti u akuzua për marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, ndërsa u arrestua në vendngjarje duke marrë një pjesë të shumës së dakorduar, të dedikuar për Arifin, në vlerë prej 20.000 euro. Si Arifi, ashtu edhe Ameti gjatë procesit gjyqësor mohuan fajin.

Share.
Exit mobile version