Në transformimin e koalicionit VLEN në një parti, dy parime janë thelbësore, barazia dhe vendimmarrja konsensuale, vlerëson kryetari i Kuvendit dhe ish-lideri i Alternativës, Afrim Gashi.

Gashi ende shpreson se do të arrihet një marrëveshje që VLEN të bëhet parti, përcjell “Sloboden Peçat”.

“Kryetari aktual i Alternativës, Bekim Sali, ka mbështetjen time të plotë për të vendosur se si mendon se është më e mira për partinë. Dua t’ju siguroj se po flasim dhe po kërkojmë të gjejmë mënyrën më të mirë për bashkimin e VLEN-it, dhe se kjo do të ketë efekte pozitive, jo vetëm për parti të caktuara politike dhe spektrin politik shqiptar, por në përgjithësi, për stabilizimin e nomenklaturës politike të partive në vend. Kur ka një çekuilibër në një bllok, ka shumë parti, kjo reflektohet në anën tjetër dhe në marrëdhëniet për formimin e një qeverie. Mendoj se duhet të kapërcejmë fazën e atomizimit të partive, duhet të shkojmë drejt konsolidimit”, tha Gashi në një konferencë për shtyp me gazetarët.

Ai thotë se në Alternativë, diskutimet kanë të bëjnë më shumë me parimet dhe konceptet që do të mbrojë partia e ardhshme VLEN-it, çfarë do të përfaqësojnë ata, dhe jo me atë se kush do të jetë kryetar.

“Është më e rëndësishme se çfarë do të përfaqësojë VLEN, çfarë vlerash, çfarë ideologjie do të ketë, çfarë programi, të gjejmë një mënyrë që të jetë e bashkuar mirë, sepse në fund të fundit, po flasim për katër parti politike. Kemi kaluar nëpër dy cikle të vështira që kanë qenë të suksesshme dhe mendoj se dy momente janë më të rëndësishmet, barazia si parim dhe vendimmarrja konsensuale. Këto dy parime kryesore na kanë sjellë deri këtu dhe mendoj se është mirë t’i mbajmë mend këto dy parime. Për më tepër, VLEN duhet të ecë drejt një homogjenizimi më të madh, por ta bëjë këtë me kujdes pa shkaktuar dëm”, thotë Gashi./Telegrafi/

Share.
Exit mobile version