Kryetari i kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Montella, e lavdëroi rolin e zyrës së kësaj organizate në Shkup për kontributin për reformat në vend si dhe përmirësimin e funksionimit të institucioneve vendore.
“Misioni i OSBE-së në Shkup ka luajtur rol të rëndësishëm në zbatimin e proceseve të reformave në vend në fusha të shumta,” thuhet në një komunikatë nga zyra e Gashit lidhur me takimin me Montella, i cili u mbajt në kuadër të forumit të Pestë Ndërparlamentar të Delegacioneve nga Evropa Juglindore në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së
“Në këtë takim konfirmuam bashkëpunimin e ngushtë mes Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe OSBE-së dhe theksova rëndësinë e dialogut rajonal, mbështetjes së reformave dhe forcimit të demokracisë parlamentare. Po ashtu, vlerësova kontributin e OSBE-së për përmirësimin e funksionimit të institucioneve tona dhe për promovimin e barazisë dhe politikave rinore,” shkroi Gashi në një tekst tjetër në Facebook.

