
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot realizoi takim me koordinatoren e përhershme të Kombeve të Bashkuara në vend, Rita Kolumbia, njoftojnë nga shtypi i Kuvendit.
Nga atje thonë se në takim u bisedua rreth bashkëpunimit aktual dhe të ardhshëm midis Kuvendit dhe Zyrës së KB-së në Maqedoninë e Veriut, me theks në rolin e Dhomës Ligjvënëse në proceset që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm, të drejtat e njeriut dhe qeverisjen e mirë.
Gashi shprehu kënaqësinë për realizimin e takimit dhe e theksoi bashkëpunimin e frytshëm deri më tani me Zyrën e koordinatores së përhershme, e cila, siç theksoi, kontribuon ndjeshëm në avancimin e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve.
“Koordinatorja e përhershme Kolumbia e përshëndeti iniciativën dhe e theksoi mbështetjen e sistemit të Kombeve të Bashkuara për aktivitetet e Kuvendit që lidhen me zbatimin e marrëveshjeve dhe projekteve që realizohen në partneritet me agjencitë e KB-së.
Ajo theksoi se në të ardhmen, theksi do të vihet në përpjekjet e përbashkëta për të avancuar arsimin, për të krijuar kushte më të mira për personat me aftësi të kufizuara, për të promovuar barazinë gjinore dhe për të forcuar më tej rolin e grave në shoqëri dhe në Kuvend”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Në fund të takimit, shtojnë nga atje, Gashi shprehu mirënjohje për sistemin e Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut për aktivitetet dhe mbështetjen e tyre në fushat e qeverisjes së mirë, përfshirjes sociale, mbrojtjes së mjedisit jetësor, ndryshimeve klimatike, punësimit dhe zhvillimit të barabartë rajonal, si dhe për bashkëpunimin konstruktiv deri më tani me Kuvendin dhe trupat e tij të punës./Telegrafi/





