Sot në Komunën e Çairit është mbajtur mbledhje përkujtimore për artistin Shpat Kasapi, i cili ndërroi jetë para disa ditës, si pasojë e një arresti kardiak.

Përveç familjarëve, kolegëve dhe dashamirëve të Shpatit, fjalim mbajtën edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi, dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Gashi, Shpatin e përkujtoi kur është ngjitur për herë të parë në festivalin Nota Fest në vitin 1995.

“Mbajeni kokën lart për djalin, vllaun dhe bashkëshortin që e keni pasur. Shpati ishte krenari e gjithë shqiptarëve të Maqedonisë. Zoti e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me parajsë. Shpreh ngushëllime në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, por edhe si një artist, i cili bashkë me Shpatin ka kaluar në rrugët e njëjta. Në vitin 1995 në Shkup për herë të parë u themelua festivali Nota Fest dhe ajo ishte një skenë kur plot yje u ngjitën në skenë, dhe pikërisht aty ishte skena ku Shpati shkëlqeu”, tha Gashi.

Mes lotësh, bashkëshortja flet për humbjen e Shpat Kasapit: Nuk e di se si t’i tregoj djalit që është vetëm 3 vjeç

Ndërsa Izet Mexhiti në fjalimin e tij tha se arti i Shpat Kasapit do të jetojë çdo herë dhe se trashëgimia e tij muzikore është pjesë e kulturës sonë moderne.

“Përtej artit Shpati ishte njeri i qeshur, i sjellshëm dhe i dashur. Energjia e tij pozitive ndihej kudo dhe kujtimet për të mbeten po aq të forta sa këngët që la pas. Trashëgimia e tij është e çmuar dhe do të jetojë gjatë. Kontributi i Shpatit është pjesë e kulturës moderne. Sot i themi lamtumirë dhe jemi mirënjohës për muzikën që na e la. Arti i Shpatit do të jetojë çdo herë në mesin tonë. Lamtumirë Shpat, qofsh nën mëshirën e Zotit”, tha Mexhiti.

Në mbledhjen e sotme mori pjesë edhe nëna e këngëtarit të ndjerë, e cila me mesazhin e saj preku të pranishmit.
“Faleminderit që organizuat këtë eveniment për nder të humbjes së madhe të shpirtit tim, të gjysmës time, Shpatit. Ndoshta pyesni pse nuk jam në gjendje të flas… 22 vjet kam ligjëruar, por sot ndjej një emocion që kurrë në jetë nuk e kam ndjerë. E dinë të gjitha nënat që kanë humbur fëmijën e tyre”.

E ëma e artistit tha se dhimbja është e papërshkrueshme, por njëkohësisht ndjen krenari për djalin që rriti.

“Jam shumë krenare dhe e lumtur që pata lindur një djalë që nuk paska qenë vetëm i imi. Paska qenë i të gjithëve juve, e paskeni dashur të gjithë. Ju falënderoj nga zemra”, tha Gjilimsere Kasapi./Telegrafi/

Share.
Exit mobile version