Partitë dhe kandidatët e pavarur vazhdojnë prezantimet e tyre para votuesve sot, në ditën e dytë të fushatës për Zgjedhjet lokale të vitit 2025. Fushata zgjedhore e cila filloi dje do të zgjasë deri mesnatën e 17 tetorit, ku vijon heshtje 24-orëshe para votimit më 19 tetor (raundi i dytë më 2 nëntor).
OBRM-PDUKM do të mbajë tubime në Vevçan (17:00), në Strugë (18:30) dhe në Resnjë (20:30). OBRM-PDUKM dhe koalicioni fushatën zgjedhore për Zgjedhjet lokale e filloi dje në Shkup me një tubim ku promovuan kandidatin për kryetar të kryeqytetit, Orce Gjorgjievski.
LSDM dhe koalicioni do të mbajnë një karvan tubimesh në Llozovë (17:30), Karbinci (17:30), Probishtip (18:30) dhe Shtip (20:00). LSDM dhe koalicioni dje promovuan kandidatin për kryetar të komunës Tome Hristovski në manifestimin qendror në Krushevë.
Koalicioni VLEN me fillim në orën 19 në Sallën sportive “Boris Trajkovski” do të mbajë Konvetën promovuese ku do të prezantohen kandidatët për kryetar të komunës.
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Qytetin e Shkupit, Skender Rexhepi-Zejd, së bashku me kandidatët për këshilltarë, do ta prezantojë programin zgjedhor për Qytetin e Shkupit. Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga Koalicioni AKI, Bujar Osmani, dje prezantoi programin e tij për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Kandidati për kryetar të Kumanovës dhe kryetar i Lëvizjes ZNAM “Për Maqedoninë tonë”, Maksim Dimitrievski, dje zhvilloi disa takime dhe aktivitete me qytetarët.
Siç parashikon Kodi zgjedhor (neni 69a), për fushatë zgjedhore konsiderohet një tubim publik dhe ngjarje të tjera publike të organizuara nga një pjesëmarrës në fushatën zgjedhore, shfaqja publike e bilbordeve, video prezantime në vende publike, prezantimi zgjedhor në media dhe internet, shpërndarje e materialeve të shtypura dhe prezantimi publik i kandidatëve të konfirmuar nga autoritetet kompetente zgjedhore dhe programet e tyre.
Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 19 tetor, ndërsa i dyti më 2 nëntor.