Me heqjen e bilbordeve ka nisur rikonstruksioni dhe modernizimi i paralajmëruar i Stacionit të vjetër Hekurudhor në Shkup, që u prezantua në një konferencë për shtyp nga drejtori i “Hekurudhave të RMV-së”, Sinisha Ivanovski, dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë Josif Josifovski dhe dekania e Fakultetit të Arkitekturës, Aneta Hristova Popovska.

Sipas informacioneve fillestare, projekti pritet të përfundojë plotësisht për pesë deri në gjashtë vjet, paralelisht me vënien në funksion të hekurudhës së shpejtë të Korridorit 10 dhe degës hekurudhore drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit.

“Pasi të përfundojmë projektin për një vit, financimi do të sigurohet ose nga Buxheti i shtetit, ose përmes një kredie nga huadhënës klasikë si BERZH, BEI, bankat komerciale, por nuk përjashtohet mundësia që të hyjmë në partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, me të cilët do të realizojmë shumë projekte kapitale infrastrukturore. Do të ndërrohen instalimet, ngrohja, ftohja. Stacioni tani duket si një pit-stop i Formula 1 dhe nuk do të jetë më kështu – do të ketë ndalim për reklamat. Do të ketë ndryshim të përmbajtjeve, do të ketë farmaci dhe hapësira të tjera komerciale, por shtesa si qebaptore apo objekte të ngjashme nuk do të lejohen”, tha drejtori Ivanovski gjatë prezantimit të projektit.
Kontrata për projektimin, të cilën Hekurudhat e nënshkruan me Fakultetin e Ndërtimtarisë, kushton mbi 455 mijë euro, ose mbi 28 milionë denarë.
Në të, përveç projektit për modernizimin e Stacionit Hekurudhor në Shkup, parashikohet edhe sanimi midis stacionit në Zelenikovë dhe atij në Veles, si dhe midis stacioneve Zelenikovë dhe Kadina Rekë.
Tenderi përfshin gjithashtu projekt për sanimin e një rrëshqitjeje dheu në seksionin Veles – Gostirazhnjë, si dhe projekt për ndërtimin e një ure mbi lumin Krna, në seksionin ndërmjet stacioneve në Gradsko dhe Kukuriçani.

Share.
Exit mobile version