Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe tha se të rinjtë në Maqedoni sot jetojnë në një shtet që nuk po zhvillohet, një shtet ku nuk ka prosperitet.

Filipçe theksoi se mungesa e një strategjie për përmirësimin e tregut të punës dhe varfëria në rritje janë vetëm disa nga arsyet për të cilat të rinjtë e shohin të ardhmen e tyre jashtë Maqedonisë.

“Numri i personave të punësuar në vend është zvogëluar për mbi 17.000 veta. Për shembull, kam qenë në Delçevë. Në këtë qytet, çdo vit mesatarisht diplomojnë rreth 100 nxënës. Këtë vit, 90 prej tyre janë regjistruar në fakultete në Bullgari. Pse? Sepse tek ne nuk ka universitet që të jetë në listën e Shangait. Nuk ka investime serioze në shkencë, nuk ka mbështetje për kërkim, nuk ka cilësi që do t’i mbante të rinjtë këtu,” tha Filipçe.

Filipçe theksoi se të gjitha parametrat tregojnë se pushteti nuk po kujdeset për qytetarët, e sidomos për të rinjtë.

“Pozicionet e punës që hapen janë të gjitha me paga të ulëta, nuk janë të ardhura të qëndrueshme, kjo është vetëm mbijetesë, nuk është zhvillim. Sa herë që thonë se pagat rriten, këto janë vetëm përqindje minimale që me inflacionin, të cilin nuk e kontrollojnë, janë të shkatërruara para se të ndihen,” tha Filipçe.

Filipçe: Të rinjtë në Maqedoni po jetojnë në një shtet pa prosperitet, pushteti nuk kujdeset për qytetarët appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version