Maqedonia e Veriut humbi 11.4 përqind të popullsisë së saj krahasuar me vitin 2011, më e shumta në Evropë pas Shqipërisë dhe Bullgarisë, tregojnë të dhënat e Eurostat. Pas Maqedonisë janë Bosnja dhe Hercegovina dhe Kroacia.

Popullsia e Shqipërisë është ulur me 18 përqind në fund të vitit 2024, krahasuar me numrin në vitin 2011. Në periudhat në fjalë, kur u kryen regjistrimet e popullsisë, popullsia e vendit u ul me më shumë se 500 mijë banorë, raportoi “euronews.al”.

Sipas agjencisë statistikore evropiane, Eurostat, kjo rënie në përqindje është më e larta në Evropë, e ndjekur nga Bullgaria, e cila humbi 12.3 përqind të popullsisë së saj gjatë dekadës së fundit, dhe Maqedonia me 11.4 përqind.

Në rajon, pothuajse të gjitha vendet janë prekur nga një valë emigrimi, dhe një vend që ka arritur ta mbajë popullsinë e tij pothuajse të pandryshuar është Mali i Zi, i cili regjistroi një rritje prej 0.6 përqind.

Vendet e Evropës Perëndimore kanë arritur të rrisin popullsinë e tyre si rezultat i politikave agresive të imigracionit si një zgjidhje për të kapërcyer problemet demografike që rrjedhin nga plakja e popullsisë dhe rënia e shkallës së lindjeve. Ndërkohë, eurozona e ka rritur popullsinë e saj me 3.2 përqind që nga viti 2011./Telegrafi/

Eurostat: Maqedonia e Veriut humbi 11.4% të popullsisë së saj krahasuar me vitin 2011 appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version