Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS), në periudhën janar–gusht 2025, numri i punëtorëve në industri është zvogëluar për 3.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar

Industria në vend vazhdon të përballet me sfida serioze sa i përket ruajtjes së vendeve të punës. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS), në periudhën janar–gusht 2025, numri i punëtorëve në industri është zvogëluar për 3.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe pse kjo shifër paraqet një tregues të përgjithshëm të ngadalësimit, të dhënat mujore tregojnë se rënia ka vazhduar edhe në gusht, ku numri i të punësuarve në industri ishte për 2.6 për qind më i vogël në krahasim me gushtin e vitit 2024.

Sipas statistikave, në sektorin Miniera dhe nxjerrje e metaleve, punësimi është ulur me 1.7 për qind, duke reflektuar ngadalësimin e aktiviteteve nxjerrëse. Në Industrinë përpunuese, që është edhe motori kryesor i punësimit në industri, numri i punëtorëve ka rënë për 2.7 për qind, çka tregon vështirësi të vazhdueshme në këtë sektor. Ndërkohë, në Furnizimin me energji elektrike, gaz, avull dhe klimatizim, ulja është më e lehtë, vetëm 0,6 për qind, duke treguar një stabilitet më të madh në krahasim me sektorët e tjerë.
Raporti jep një analizë të hollësishme edhe sipas grupeve kryesore industriale, ku vërehen dallime të theksuara. Rënia më e madhe është regjistruar tek prodhimet kapitale, me 7.1 për qind më pak të punësuar se një vit më parë. Kjo kategori lidhet kryesisht me prodhimin e makinerive dhe pajisjeve të mëdha, pra me investime afatgjata, dhe ulja e saj është tregues i ngadalësimit të investimeve industriale.

Një rënie tjetër është vërejtur edhe tek produktet jo të qëndrueshme për konsum të gjerë, ku numri i të punësuarve ka rënë për 2.2 për qind. Kjo kategori lidhet me prodhimet e përditshme si ushqime dhe mallra të tjera bazë, dhe shifra tregon se edhe prodhimi për konsum të brendshëm është në tkurrje. Po ashtu, grupi i Energjisë ka shënuar ulje prej 1.8 për qind, duke reflektuar kërkesë më të ulët ose efikasitet më të madh prodhues me më pak punëtorë.

Megjithatë, sipas tabelës zyrtare, në gusht 2025, prodhimet e qëndrueshme për konsum të gjerë kanë shënuar një rritje të dukshme prej 7.3 për qind. Një rritje, edhe pse më modeste, është vërejtur tek Produktet intermediare (përveç energjisë), me 1 për qind më shumë të punësuar krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.

Këto produkte përdoren si lëndë të para për industrinë e përpunimit, prandaj rritja e tyre sugjeron një lëvizje pozitive në disa zinxhirë prodhues.

Ndryshe, rënia e punësimit në industri nënkupton jo vetëm tkurrje të vendeve të punës, por edhe presion mbi të ardhurat e punëtorëve dhe stabilitetin social. Njëkohësisht, ulja në sektorë kyç si prodhimet kapitale apo ato jo të qëndrueshme sinjalizon ngadalësim të investimeve dhe konsumit të brendshëm. Ndërkaq, rritja e kufizuar vetëm në disa kategori si prodhimet e qëndrueshme dhe produktet intermediare nuk mjafton për ta kompensuar humbjen e përgjithshme.(koha.mk)

Share.
Exit mobile version