Gjykata që me dekada nuk dënon gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet raciste antishqiptare, në mënyrë të përshpejtuar ka dënuar një qytetar i cili është kapur duke valëvitur flamurin kuq e zi me hartën e “Shqipërisë së Madhe” dhe mbishkrimin “Autochthonous”, shkruan Alsat.

Alsat njofton se bëhet fjalë për 38-vjeçarin M.M. me shtetësi gjermane, por me prejardhje nga Tetova i cili është deportuar nga shteti pasi u dënua me 2 vjet burg me kusht, nën akuzën për nxitje të urrejtjes ndëretnike. Ngjarja, ka ndodhur mbrëmjen e 5 gushtit në afërsi të Kopshtit Zoologjik në Shkup, pak para se të fillonte ndeshja mes Shkëndisë dhe Karabagut. Ndërsa dënimi, erdhi pas reagimit të partive maqedonase për thirrjet “Ilirida” nga një grup i tifozëve në stadium.

Megjithatë autoritetet nuk janë treguar kaq efikase me rastin që ndodhi vetëm disa ditë më parë, respektivisht në ndeshjen e 5 gushtit në ndeshjen e Basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë në Kumanovë, tifozët në kor bënin thirrje “Vdekje për shqiptarët” edhe atë, në prani të kryeministrit, ministrit të punëve të Brendshme e zëvendëskryeministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve.

Pavarësisht se thirrjet “Ilirida” të cilat kanë karakter politik, nuk mund të jenë të barasvlefshme me thirrjet “Vdekje për shqiptarët” që kanë karakter kriminal, presidentja e vendit Gordana Siljanovska Davkova, thekson se nuk mund të ndahen njëra prej tjetrës.

“Skenat e djeshme në ndeshjen Shkëndija – Karabag ishin reprizë e tregimit tragjik të Kumanovës”, shkruan Silajnovska duke kritikuar se është hipokrizi dhe cinizëm reagimi selektiv ndaj vandalizmit josportiv.

Por kur jemi te reagimi selektiv, mbase autoritetet ligjzbatuese kanë fjalën për të shpjeguar se si me shpejtësi dhe me efikasitet marramendës dhe të paparë ndonjëherë, ndëshkuan personin me flamurin “Autochthonous”, ndërsa nuk gjetën ende asnjërin prej korit të tifozëve në Kumanovë duke bërtitur vdekje për shqiptarët.

Në mungesë të identifikimit të personave që fyenin shqiptarët, Policia ka informuar se ka arrestuar një person me inicialet S.A. i cili dyshohet se gjatë pushimit të ndeshjes së 2 gushtit në Kumanovë është përpjekur të fusë një banderolë me përmbajtje fyese. Pavarësisht se ky rast nuk ka kurrfarë lidhje me thirrjet raciste dhe diskriminuese, ende nuk ka kurrfarë informimi për epilogun e këtij rasti.

Arrestimi dhe dënimi i personit me flamurin me hartën e Shqipërisë së Madhe nuk do të ishte ironike, nëse në vend do të ishte ndëshkuar në mënyrë sistematike kushdo që hapë flamuj me harta që prekin kufijtë e shteteve fqinje. Mbrëmjen e natës kur u luajt ndeshja e basketbollit, njëri ndër eksponentët e lartë të OBRM-PDUKM-së, në Facebook ndau një hartë të vjetër të Maqedonisë së Madhe, në të cilën pjesë përbërëse janë edhe disa vende të Greqisë, Shqipërisë e vendeve tjera fqinje.

Policia, Prokuroria dhe Gjykata që dënoi ekspres 38-vjeçarin për flamurin e hartën e Shqipërisë së Madhe, për këtë rast, ka mbyllur sytë.

Ndërkohë, nëpër internet mund të gjenden dhe kompilime nga grupet e tifozëve më thirrje për vdekje të shqiptarëve:

Pavarësisht qindra e ndoshta mijëra rasteve, gjuha e urrejtjes vazhdon të jetë e pandëshkueshme në vend, për këtë tregojnë edhe statistikat zyrtare ku prej vitit 2014 deri në vitin 2018, Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar vetëm dy persona për gjuhë të urrejtjes, edhe atë jo me burg, por vetëm me para./Alsat/

Dëbim për një flamur, s’ka dënim për thirrjet e urrejtjes në Kumanovë appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version