Gjykimi për tragjedinë në Koçan, duhet të ndahet në disa akuza, për shkak të efikasitetit më të madh, sugjeron profesori i Fakultetit juridik në Shkup, Borçe Davitkovski.

Dy muaj pas aksidentit, hetimi është ende duke vazhduar kurse Prokurori publik shtetëror Lupço Kocevski, në intervistë për Alsat, tha së fundmi se hetimi i Prokurorisë pritet të përfundojë deri më 17 qershor.

“Mendoj se nëse procesi gjyqësor nuk ndahet, me 50-60 të dyshuar, më duket si “sy gjarpri”. Mendoj se të dyshuarit duhet të ndahen dhe varësisht se cilën vepër e kanë bërë, procesi duhet të vazhdojë në mënyrë që të jetë efikas dhe të ketë shpejt vendim, përndryshe do të zvarritet. Pesëdhjetë të dyshuar nëse një avokat nuk vjen, do të shtyhet, e dini si është praktika jonë gjyqësore. Kemi pasur qindra raste kaq të mëdha. Kështu që, supozoj se duhet të ndahen akuzat për segmente të caktuara. Kush do të jetë përgjegjës për lëshimin e licencave të rreme, kush do të jetë përgjegjës për pranimin e ryshfetit, etj”, tha Borçe Davitkovski- profesor i Fakultetint juridik në Shkup.

Profesori Dejan Mickoviq thotë se rasti në Koçan është test për gjithë sistemin gjyqësor në vend dhe pret që të ketë epilog ligjor.

“Fillimisht, pritjet janë që e gjithë kjo të mund të përfundojë brenda natës, që drejtësia të mund të arrihet, drejtësia është e arritshme, por ndonjëherë e ngadaltë. Vlerësimet e sistemit të drejtësisë janë ato që i dimë dhe ky është rasti i fundit që sistemi i drejtësisë të ofrojë drejtësi, e cila do të jetë e drejtë, e bazuar në fakte dhe prova, e bazuar në zgjidhje ligjore në Maqedoni. Pritjet e publikut dhe pritjet tona, të profesionistëve, janë të mëdha”, theksoi Dejan Mickoviq- profesor i Fakultetit juridik në Shkup.

“Në tre dekadat e fundit, në Maqedoni kanë ndodhur tragjedi të shumta, por shembujt janë të rrallë kur kemi përgjegjësi politike. Jo vetëm përgjegjësia morale dhe politike, por edhe ajo ligjore është në krizë. Miratimi i ligjeve burokratike në interes të grupeve të caktuara të lobimit, interpretimi i ndryshëm i ligjeve, mospërputhja e praktikës gjyqësore ka çuar në një fenomen ku në vend të përgjegjësisë kemi papërgjegjësi”, u shpreh Angell Ristov- profesor i Fakultetit juridik në Shkup.

Në tragjedinë në Koçan, 62 persona humbën jetën dhe rreth 200 të tjerë u lënduan. Temat në fushën e drejtësisë dhe përgjegjësia e bartësve të funksioneve publike në Ohër janë temë debati në Shkollën e 11-të të drejtësisë.

Davitkovski: Procesi gjyqësor për tragjedinë në Koçan duhet të ndahet appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version