Kuvendi jo gjithmonë i merr parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese, për harmonizim të ligjeve në pajtueshmëri me Kushtetutën. Kështu deklaroi, Ana Pavllovska Daneva nga Gjykata Kushtetuese, e cila nënvizon se duhet të merren parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias, ku theksohet se heshtja e ligjvënësit përbën rrezikim të së drejtës kushtetuese në shtet.
“Për fat të keq ndonjëherë na dalin në ndihmë në kohë, ndonjëherë me vonesa të mëdha, e ndonjëherë nuk dalin fare në ndihmë, respektivisht ligjvënësi nuk e respekton afatin që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese dhe në atë rast hapet dilema, a të shfuqizohet ligji dhe me të të shkaktohet zbrazëtirë ligjore, që ndonjëherë ajo u konvenon politikanëve, ose ta prolongojmë atë afat në heshtje dhe të presim që ligjvënësi vet të harmonizojë”, deklaroi Ana Pavllovska Daneva, gjykatëse Kushtetuese.
Në këtë rast ajo përmendi Kodin Zgjedhor dhe Kodin Penal, duke theksuar se Kuvendi do të duhej të veprojë në pajtueshmëri me vendimet e kushtetueses.
“Ne presim që menjëherë pas zgjedhjeve kodi penal do të hyjë në procedurë, në pajtueshmëri me vendimin tonë për të filluar procedurë, që të mos vendosemi në një situatë që të shfuqizojmë në dëm të interesit publik dhe ta sjellim shtetin që të mos ketë vepra të tilla penale. Them ndoshta disa politikanë, hipotetikisht, mund edhe të dëshirojnë një gjë të tillë, por ne nuk do të donim që kjo të ndodh, prandaj e paralajmërojmë opinionin, kuptohet edhe politikanët dhe ligjvënësin për një mundësi të tillë”, tha Ana Pavllovska Daneva, gjykatëse Kushtetuese.
Kohë më parë Gjykata Kushtetuese, kërkoi që Kuvendi të rishikojë dispozitat e Kodit Penal, që kanë të bëjnë me vjetërsimin e shpejtë të lëndëve për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, ndryshime të cilat u kritikuan edhe nga BE-ja. Kurse muaj më vonë, u shfuqizuan dispozita të Kodit Zgjedhor, të cilat lanë zbrazëtirë ligjore rreth kritereve për kandidaturat e pavarura në zgjedhje. Qëndrimet u thanë në Konventën kombëtare për BE-në në Maqedoninë e Veriut për gjyqësorin dhe të drejtat bazë, ku folësit porositën që as e drejta Kushtetuese dhe as Kushtetuta, nuk duhet të përdoren për politika.
Daneva: Kuvendi shpeshherë mbyllë sytë përballë vendimeve të Gjykatës Kushtetuese appeared first on Telegrafi.