Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, sot realizoi një takim pune me të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend, Nikol Varnes, njoftojnë nga kabineti i Bozhinovskas.
Nga atje thonë se në takim u theksua rëndësia e jashtëzakonshme e Partneritetit Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së si një shtytës kyç për forcimin e bashkëpunimit institucional, zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin afatgjatë të shtetit.
“E ngarkuara me punë Varnes i përshëndeti përpjekjet e ministres Bozhinovska për konsolidimin sistematik të sektorit energjetik dhe harmonizimin e tij me standardet evropiane. Në këtë kontekst, u diskutua për disa projekte strategjike në energjetikë, të orientuara drejt sigurimit të një të ardhmeje energjetike të sigurt, të qëndrueshme dhe konkurruese për vendin.
Ministrja Bozhinovska shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme që Republika e Maqedonisë së Veriut merr nga SHBA në fushat kyçe,përfshirë zbatimin e reformave në energjetikë dhe mbështetjen për tranzicionin e gjelbër të vendit.
“Partneriteti Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbën një bazë të fortë për ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme, një sistemi energjetik modern dhe institucioneve të fuqishme. Përcaktimi ynë është i qartë – reforma, transparencë dhe zhvillim i qëndrueshëm në interes të qytetarëve”, theksoi ministrja Bozhinovska.
Të dyja bashkëbisedueset konfirmuan përkushtimin e përbashkët për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, intensifikimin e aktiviteteve investuese dhe promovimin e vlerave demokratike, si dhe përpjekjet e përbashkëta për sigurimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale”, thuhet në njoftim./Telegrafi/

