Sanksionet që SHBA i vendosën ndaj kompanive ruse “Rusk Naft” dhe “Lukoil” shkaktuan lëkundje të dukshme në tregjet botërore të naftës. Si rezultat, javën e kaluar u vu re rritje e çmimit të naftës së papërpunuar, trend që vazhdoi edhe këtë javë.

Kryetari i Komisionit rregullator të energjetikës, Marko Bislimovski, tha për Alsat se rritja e çmimeve në bursat botërore ka shkaktuar edhe një rritje të çmimeve të derivateve të naftës në tregun vendor.

“Javën e kaluar, SHBA-të vendosën sanksione ndaj dy kompanive ruse, “Rusk Naft” dhe “Lukoil” dhe si rezultat, tregjet e naftës janë veçanërisht të ndjeshme ndaj kësaj dhe javën e kaluar pati rritje më serioze të naftës së papërpunuar në bursën botërore, ky trend vazhdoi edhe këtë javë dhe për shkak të kësaj kemi edhe një rritje të çmimeve, veçanërisht të derivateve të naftës”, tha Marko Bislimovski- kryetar i KRRE-së.

Bislimovski, pret që çmimi i naftës të stabilizohet dhe se nuk do të ketë rritje të mëtejshme të derivateve të naftës.
“Ne, si Komision bazuar në këtë rritje, e rritëm çmimin e naftës për 2 denarë dhe pres që kjo të stabilizohet më tej dhe se nuk do të ketë rritje të mëtejshme të çmimeve të derivateve të naftës. Këto janë gjëra që ne si shtet nuk mund të ndikojmë në asnjë mënyrë, pra këto janë ndikime të jashtme, ndikime të importuara, kryesisht për shkak të vendosjes së sanksioneve kundër dy kompanive më të mëdha ruse në këtë biznes”, shtoi Marko Bislimovski- kryetar i KRRE-së.

Përndryshe, sanksionet e vendosura nga SHBA-të ndaj kompanive ruse të naftës nuk pritet të kenë efekt negativ në furnizimin me derivate të naftës në vendin tonë sepse pothuajse 86% e naftës së disponueshme në vend importohet nga Greqia.

Sipas Raportit vjetor të KRRE-së për vitin 2024, shitësit me shumicë të naftës së papërpunuar, derivateve të naftës, biokarburanteve dhe karburanteve të transportit, kanë importuar derivate të naftës nga 11 vende, ku shumica e derivateve të naftës importohen nga vendet fqinje, përkatësisht nga Greqia 85.98%, nga Bullgaria 10.49%, Shqipëria 2.27%, Serbia 0.96%, Mali i Zi 0.15%, Rumania 0.09% dhe një përqindje e vogël e importeve nga vendet e tjera. /Alsat.mk

Share.
Exit mobile version