Bashkimi Demokratik për Integrim në një kumtesë për media thotë se në punësimet e fundit në hidrocentralin Mavrovë – Vërtok, ku janë angazhuar 12 persona të rinj, asnjë prej tyre nuk është shqiptar, ndonëse ky hidrocentral ndodhet në zonën e Gostivarit, ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë.
Nga BDI thonë se ky vendim paraqet një shembull të qartë të përjashtimit etnik në institucionet publike dhe shkon në kundërshtim me frymën e përfaqësimit të drejtë, për të cilën është ndërtuar modeli institucional i shtetit.
“Një qasje e tillë, përveçse dëmton ndjeshëm besimin qytetar, e rrezikon kohezionin ndëretnik dhe komprometon parimet themelore të funksionimit demokratik dhe shumëetnik të shtetit. BDI thekson se ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një tendence sistematike për spostimin e qytetarëve shqiptarë nga pjesëmarrja në institucionet shtetërore, për çka kemi ngritur shqetësime të përsëritura në muajt e fundit”.
“I bëjmë thirrje Avokatit të Popullit të ndërmarrë menjëherë procedurat e nevojshme për vlerësimin e e kësaj gjendje provokuese si dhe të konstatojë nëse ka pasur shkelje të të drejtave për përfaqësim të barabartë dhe mosdiskriminim. U drejtohemi gjithashtu përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në vend, që me vëmendje të ndjekin këto zhvillime shqetësuese, të cilat bien ndesh me angazhimet për ndërtimin e një shteti gjithëpërfshirës, të drejtë dhe funksional”, thonë nga BDI./Telegrafi/
BDI: Nga 12 të punësuarit e rinj në hidrocentralin Mavrovë – Vërtok, asnjëri nuk është shqiptar appeared first on Telegrafi.