“Vazalët shqipfolës të OBRM-PDUKM-së edhe sot vazhduan me manipulimet e tyre ndaj opinionit publik. Kësaj radhe bëhet fjalë për Autostradën Shkup-Bllacë, një projekt me rëndësi strategjike për shqiptarët dhe për lidhjet me Republikën e Kosovës”, reagojnë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Nga BDI janë revoltuar me njoftimin e VLEN-it se “Ndërmarrja Publike ‘Rrugët Shtetërore’ ka hapur procedurat për prokurim publik për fazën përgatitore të projektit final për ndërtimin e kësaj rruge”.

“Edhe pse janë përfunduar më shumë se dy kilometra të para të këtij aksi, projekti qëllimisht po zvarritet dhe refuzohet të lëshohet në përdorim. Fillimisht, Qeveria paralajmëroi gjoja një revision teknik, ndërsa sot deklarojnë se po e nisin nga e para procedurën për prokurim publik – një skenar i qartë për të bllokuar hapjen e Autostradës. Qëllimi i kësaj Qeverie është i lexueshëm: sabotimi sistematik i çdo projekti jetik që ka të bëjë me shqiptarët, duke u përpjekur të anulojë investimet që janë iniciuar nga BDI gjatë qeverisjes së kaluar. Në të njëjtën kohë, VLEN, në vend që të mbrojë interesin shqiptar, po zbaton pa diskutim urdhrat politikë të OBRM-PDUKM-së dhe po përqafon çdo vendim me prapavijë antishqiptare”, thuhet në reagimin e BDI-së.

BDI shton se pas tetorit, kur do të rikthehet si faktor udhëheqës, do të përfundojë me prioritet projektet e nisura që sot po bllokohen nga “Qeveria e re dhe aleatët e saj shqipfolës. Autostrada Shkup-Bllacë do të bëhet realitet – jo për inat të dikujt, por për të ardhmen tonë euroatlantike dhe për respektin që shqiptarët meritojnë në këtë shtet”.

BDI: Autostrada Shkup-Bllacë, peng i lojërave politike të Qeverisë appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version