BDI në një kumtesë për media thekson se “VLEN çdo ditë e më shumë po e dëshmon gjendjen e vet të mjerueshme politike: pa zë, pa legjitimitet dhe të nënshtruar plotësisht ndaj padronit të tyre, OBRM-PDUKM-së”.

Nga BDI thonë se VLEN nuk guxon të flet për asnjë çështje të madhe kombëtare.

“Kryeministri i qorton publikisht sa herë që guxojnë të prekin tema madhore, duke ua kujtuar se janë aty vetëm për kanalizime dhe mbeturina. VLEN hesht për iniciativën skandaloze të OBRM-PDUKM-së në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit për gjuhën shqipe. VLEN hesht edhe për heqjen e balancuesit si mekanizëm mbrojtës për përfaqësim të drejtë në administratë. VLEN hesht për mosndëshkimin e policit që përdhosi flamurin shqiptar në Kumanovë, që u avancua pastaj. VLEN hesht për hapjen e debatit mbi shfuqizimin e votimit me Badenter në Kuvend, si mburojë kundër majorizimit etnik”.

“E vetmja gjë që ata bëjnë është të heshtin përpara Mickoskit dhe të ofendojnë shqiptarët. Shefi i shtabit të tyre, Adnan Azizi, madje kërkoi falje te Mickoski dhe u justifikua publikisht se nuk kishte në mendje të ndalonte projektet sllave e ruse, por se thjesht kishte kritikuar një shqiptar. Ky është imazhi i vërtetë i VLEN-it: vasalë të përulur përballë të huajve, por të guximshëm vetëm kur bëhet fjalë të sulmojnë shqiptarë”, thonë nga BDI. “Dinjiteti i shqiptarëve do të rikthehet vetëm me Aleancën Kombëtare për Integrim. Sepse shqiptarët meritojnë të kenë përfaqësues të lirë, të denjë dhe të pathyeshëm, jo krijesa politike artificiale të OBRM-PDUKM-së”, thonë nga BDI.

Share.
Exit mobile version