Aleanca për Shqiptarët e Arben Taraavarit, ka reaguar në lidhje me informacionet se është refuzuar propozimi për t’u dhënë vendime pune 155 motrave medicinale në Spitalin e Tetovës. Nga ASH e Taravarit thonë se “propaganda nuk zgjat shumë”.
“E vërteta gjithmonë del në shesh. Për muaj me radhë, qytetarëve u është servirur një gënjeshtër e përsëritur se kinse Arben Taravari dhe Blerant Ramadani kanë qenë pengesë për punësimet në sistemin shëndetësor, në veçanti në Spitalin Klinik të Tetovës. Kjo narrativë u përdor me qëllim nga koalicioni VLEN për të hedhur fajin diku tjetër dhe për të mbuluar paaftësinë e tyre për të sjellë zgjidhje konkrete”.
“Sot është më se e qartë, edhe pse VLEN është në qeveri, edhe pse ka ministrin e Shëndetësisë dhe të gjitha mekanizmat në duar, punësimet vazhdojnë të zvarriten, premtimet mbeten vetëm në letër dhe qytetarët janë përsëri viktima të lojërave politike. Rasti me Spitalin e Tetovës e dëshmon realitetin – problemi nuk ishin Taravari apo Ramadani. Problemi ishte dhe mbetet mungesa e vullnetit politik, paaftësia për të qeverisur dhe keqpërdorimi i nevojave të njerëzve për qëllime propagandistike”.
“Prandaj sot pyesim eksponentët e VLEN-it, ishte kjo një propagandë e paramenduar, apo thjesht një dështim i radhës në qeverisjen tuaj? Aleanca për Shqiptarët nuk do të lejojë që qytetarët të mashtrohen pafundësisht. Koha e akuzave të rreme ka kaluar. Tani është koha për përgjegjësi dhe llogaridhënie, dhe tetori është afër, shumë afër”, thonë nga ASH e Taravarit.
ASH e Taravarit: Rasti i Spitalit të Tetovës rrëzon propagandën e VLEN-it, kush po pengon tani punësimet e shqiptarëve? appeared first on Telegrafi.