Klubi Futbollistik Shkëndija ka arritur sukses historik duke siguruar për herë të para pjesëmarrje në garat europiane, së paku Ligën e konferencës. Për të folur për këto arritje, të ftuar në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni kemi pasur ish-lojtarin drejtorin aktual sportiv të Shkëndijës, Ardian Cuculi, i cili tha se shumë persona fshihen pas suksesit të Shkëndijës.
Cuculi theksoi se ky sukses i Shkëndijës nuk është rastësi, duke qenë mirënjohës për çdo lojtar dhe person që ka kaluar në Shkëndijë në periudhën e kaluar. Ai tha se nuk do të dorëzohen dhe do të synojnë grupet e Ligës së Kampionëve.
“Gëzohemi pasi jemi pjesë e një diçkaje që bëjmë njerëzit të lumtur. Shkëndija përfaqëson jo vetëm shqiptarët e Tetovës, por në të gjitha trojet. Më vjen mirë që Shkëndija ka impakt gjithandej. Na bënë të gjithëve krenar. Është përfaqësim ose një emblemë që duhet ruajtur me fanatizëm. Lojtarët kanë qenë të vetëdijshëm dhe e kanë ditur se ndeshja me Shkëndijën përfaqëson jo vetëm një qytet, por shumëçka. Lojtarët janë krenar që veshin fanellën e Shkëndijës, por më shumë kur arrijnë sukses me të”.
“Është përparësi për futbollin vendor. Me përfaqësimin sa më të mirë të Shkëndijës, automatikisht vijnë pluse për kampionatin vendor, që ndoshta të lëvizin gjërat nga pika zero për më mirë. Shkëndija ka fat që ka Ecologun dhe familjen Destani pas dhe çështjen financiare nuk e ka pasur problem. Gati 13 vite kanë investuar në këtë klub dhe vazhdojnë të investojnë. Por e jona është të punojmë dhe arrijmë suksese që të kemi sa më shumë rezultat”.
“Me arritjen e suksesit historik, edhe pozitiviteti shkon më mirë, pasi u arrit një qëllim madhor i klubit, megjithatë nuk do të ndalemi këtu. Do të mundohemi sa më mirë ta organizojmë ndeshjen me Qarabagun, jemi të vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit, por kur e bëmë atë me Steauan, pse mos e bëjmë edhe me Qarabagun”, tha mes tjerash Cuculi.
E pyetëm nëse do të donte të ishte pjesë e Shkëndijës si lojtar, ai tha se është krenar për atë që ka arritur me klubin edhe nga jashtë.
“Kam pasur fatin të jem pjesë e Shkëndijës në etapa të ndryshme. Nuk ka qenë fati që si lojtar të jemi pjesë e grupeve në garat europiane. Por sot më vjen mirë, pavarësisht se nuk luaj unë. Ky sukses i Shkëndijës ka ardhur si rrjedhojë e situatave që kanë ndodhur. Secili që ka kaluar këtu ka kontribuar për këtë shtëpi që ne sot e gëzojmë. Nuk guxojmë ta harrojmë të kaluarën. Jam i gëzuar pasi edhe jashtë fushave jam pjesë e suksesit të Shkëndijës”, tha Cuculi.
Ndërsa sa i përket çështjes së stadiumit, Cuculi tha se në Shkup ndihen si të huaj.
“Gjithmonë mysafiri pritet në shtëpi tënde. Shkupi është shtëpia jonë për arsye të terrenit, por realisht ndjehemi si më të huaj dhe tifozët i kuptoj, është lodhje është situatë për të cilën duhet të përgatiten gjatë. Nëse luheshin lojat në Tetovë, mendoj se stadiumi edhe po të ishte me 50 mijë vende do të mbushej. Njerëzit duan lojë të bukur dhe duan të kënaqen”, tha Cuculi.
Ndryshe, KF Shkëndija nesër (e martë) me do të përballet me kampionët e Azerbajxhanit, Qarabag, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues për Ligën e Kampionëve./Telegrafi/
Ardian Cuculi në PodGo: Suksesi i Shkëndijës është ndërtuar me vite, synojmë Ligën e Kampionëve appeared first on Telegrafi.