Ministri i Transformimit Dixhital, Stefan Andonovski, informoi se versioni testues i Portofolit Dixhital është duke u përgatitur dhe se ai do të prezantohet në Samitin Dixhital të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet më 1 dhe 2 tetor në Shkup.
“Qytetarët duhet ta imagjinojnë atë si një portofol me dokumente personale. Në vend që të mbani me vete patentën e shoferit dhe kartën e identitetit si karta, mund t’i mbani në telefonin tuaj celular dhe sigurisht që të gjitha shërbimet do të jenë të disponueshme atje. Po përgatisim versionin testues. Unë do ta prezantoj atë dhe do të prezantojmë dy shërbime që do të ofrojë versioni testues. Do ta ndiejmë pulsin e qytetarëve, qytetarët që do të jenë të pranishëm në Samit do ta shkarkojnë atë në mënyrë që ta testojnë. Dhe mendoj se deri në fund të vitit do të kemi tashmë një version që do ta vendosim në të gjitha rrjetet e hapura për herë të parë”, tha Andonovski.
Ai informoi se Samiti në Shkup do të ketë 800 pjesëmarrës nga mbi 20 vende dhe se qëllimi ishte që Shkupi të vendoset përsëri në hartën e ekonomive të zhvilluara dixhitalisht, vendi ynë si një vend i zhvilluar dixhitalisht, dhe të tregohet se çfarë kemi bërë këtë vit të kaluar dhe cili është vizioni dhe planet për të ardhmen.
Lidhur me shërbimet elektronike për qytetarët, Ministri Andonovski tha se qëllimi është që të gjitha shërbimet, shërbimet më të përdorura nga qytetarët, të jenë të disponueshme me një klikim. /Telegrafi/