Nënkryetari i BDI-së Arbër Ademi, në konferencë për shtyp tha se Hristijan Mickoski e ka thënë publikisht që qëllimi i tij është që BDI të zhduket nga skena politike. Ademi theksoi se “Mickoski e konfirmoi vërtetësinë e asaj që BDI e ka thënë me muaj të tërë, Mickoski dëshiron të jetë ai që vendos për shqiptarët dhe në emër të shqiptarëve”.
“Kjo platformë ideologjike e rrezikshme, për të cilën kemi paralajmëruar vazhdimisht, tashmë doli në pah. Ideja e Mickoskit, vegël e projektit famëkeq të “botës serbe”, është të pengojë bashkimin dhe përfaqësimin e fuqishëm të shqiptarëve. Vetëm në këtë mënyrë ai dhe patronët e tij nga veriu do të mund të vazhdojnë ta poshtërojnë popullin shqiptar, duke mbajtur në pushtet politikanë shqiptarë të nënshtruar e të dobët, si ata të VLEN-it, që heshtin vetëm për të ruajtur karriget e tyre. Mickoski nuk kërkon të fitojë zgjedhje, por të fshijë një ide të tërë politike për barazi, të eliminojë një popull të tërë nga jeta publike e politike e Maqedonisë”.
“Kur Mickoski thotë “BDI të zhduket”, ai thotë se shqiptarët nuk kanë të drejtë të vendosin vetë kush i përfaqëson. Ai pretendon se ka ardhur koha që dikush tjetër – saktësisht ai – të përcaktojë se cili shqiptar është i pranueshëm, cili mund të ulet në tryezë e cili jo. Ky është një tentim për pastrim politik që do t’i kthehet në bumerang”.
“Mickoski duhet ta dijë se shqiptarët vendosin vetë për përfaqësuesit e tyre. Dhe me këto deklarata ai vetëm e hapi derën e ferrit që e pret më 19 tetor. Më 19 tetor, kukullat e tij nga VLEN-i do të pësojnë një disfatë të turpshme. Më 19 tetor, Mickoski do ta ndjejë fuqinë dhe vendosmërinë e shqiptarëve që nuk pranojnë zgjidhje të imponuara. Një herë këtë gabim e bëri Zaev, të njëjtin gabim po e përsërit edhe Mickoski”, tha Ademi.
Ai akuzoi edhe koalicionin VLEN, të cilët janë pjesë e qeverisë, për të cilët tha se janë vegël e Mickoskit.
“Më tragjike është se VLEN është vegla e tij. VLEN është projekti i tij për një skenë politike shqiptare të kontrolluar. VLEN është kali i tij i Trojës në Çair, në Tetovë, në Strugë. Qytetarët këtë e shohin, e ndjejnë dhe e dinë. Prandaj këto zgjedhje nuk janë vetëm për komunat. Këto zgjedhje janë për të ardhmen. Për të vendosur nëse do të kemi një përfaqësim politik shqiptar dinjitoz e të fuqishëm, apo do të lejojmë të tjerët të na diktojnë jetën politike”, tha Ademi.