“Jemi në javën e fundit të fushatës, në javën ku populli ynë do të shprehë vullnetin e tij përmes një referendumi historik. Kjo është java kur shqiptarët do të vendosin për rikthimin e dinjitetit, për barazi, për integrim dhe për progres të mëtejshëm. Votimi në këtë të dielë është referendum e shkuar referendumit, është një plebishit për të manifestuar fuqishëm kundërshtimin ndaj platformave politike të rrezikshme, të cilat synojnë asimilimin politik të shqiptarëve dhe revizionimin e të drejtave kolektive të fituara me shumë sakrifica gjatë dekadave të fundit. Populli ynë do t’u përgjigjet këtyre planeve ogurzeza, duke treguar se nuk do të lejojë askënd të zhdukë nga skena politike opsionin tonë politik dhe angazhimin tonë për barazi dhe përfaqësim të drejtë”, deklaroi Arbër Ademi nga koalicioni Aleaca Kombëtare për Integrim.

Ademi tha se më 19 tetor, është dita e rikthimit të dinjitetit.

“Është dita kur shqiptarët bëhen bashkë për një përfaqësim politik të fuqishëm, për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre dhe për të ndalur çdo përpjekje që synon kontrollin, marginalizimin, dobësimin dhe përjashtimin e popullit tonë nga vendimmarrja publike dhe politike. Më 19 tetor, shqiptarët, me një zë të vetëm, do të thonë se ata vetë vendosin për përfaqësimin e tyre politik. Ky referendum është një shprehje e fuqisë së popullit dhe një demonstrim i vendosmërisë tonë për të mbrojtur të drejtat dhe të ardhmen tonë”, u shpreh Ademi.

Share.
Exit mobile version