
Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut (BPMV) ka konfirmuar sigurinë dhe cilësinë e rezervave të arit të Maqedonisë, të cilat ruhen në thesarin e Bankës së Anglisë në Londër.
Gjatë një vizite zyrtare, guvernatori i BPMV-së, Trajko Sllaveski, së bashku me ekipin e tij, ka kryer një kontroll të drejtpërdrejtë në ruajtjen e arit monetar, si pjesë e aktiviteteve rutinë të bankave qendrore për të siguruar standardet më të larta të sigurisë.
Republika e Maqedonisë së Veriut ka rreth 6.9 tonë ari monetar në përbërje të rezervave valutore, me një vlerë tregu aktuale prej rreth 800 milionë eurosh.
Gjatë kontrollit, ekipi i BPMV-së ka kryer një inspektim vizual të mostrave të shufrave të arit. U konstatua se shufrat përputhen me numrat serialë dhe kanë formën e saktë sipas specifikimeve standarde.
Ari, sipas BPMV-së, është në formë të alokuar dhe i përmbush standardet e tregut të arit në Londër (London Good Delivery Standard), që do të thotë se përmban të paktën 99.5% ar të pastër.
Vendimi për të ruajtur arin në Bankën e Anglisë u mor në vitin 2010, duke pasur parasysh sigurinë dhe fleksibilitetin që ofron infrastruktura e bankës qendrore, si dhe qasjen në tregun e Londrës, si tregu më i madh i arit në botë.
BPMV njofton se përveç rritjes së vlerës së arit, rezervat mund të përdoren edhe për të gjeneruar të ardhura monetare shtesë përmes depozitave afatshkurtra dhe transaksioneve me ari./Telegrafi/





